Qeveria zotohet për ndihma bujqve që u dëmtuan nga vërshimet në Mitrovicë

Qeveria e Kosovës ka thënë se do të procedojë në mbledhjen e ardhshme si pikë të rendit të ditës ndihmën për bujqit në Mitrovicë e Zubin Potok që u dëmtuan nga vërshimet në ditën e parë të korrikut.

Në një vizitë të shtunën, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se kjo ministri po punon në hartimin e politikave të qëndrueshme dhe në ndërmarrjen e masave preventive nga dëme të tilla.

Ai është shprehur se ministria që ai udhëheq po mundohet në një të ardhme të mundësojë që sigurimet bujqësore të përfshijnë shumicën e kulturave bujqësore.

Pas vizitës në fshatrat Vidimriq, Çabër e Kushtovë, Peci ka thënë se planifikohet kompensimi i dëmeve në vlerë prej 1.3 milionë eurosh.