Mitrovicë

Qeveria nuk ndan mjete për bizneset e prekura nga vërshimet në veri

Bizneset në veri të Mitrovicës të prekura nga vërshimet e janarit të këtij viti, edhe pas gati një viti nuk e kanë ndier ende dorën e shtetit.

Pronarët e këtyre bizneseve janë shprehur të shqetësuar dhe ndihen të harruar për faktin se qeveria ka kompensuar shtëpitë e dëmtuara nga vërshimet në këtë pjesë të qytetit, ndërsa nuk ka ndarë asnjë cent për ta.

Fidan Cimili, pronar i biznesit të dritareve dhe dyerve në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, thotë për KosovaPress se ka mbetur shumë keq, dhe se përkundër dorëzimit të komplet dokumentacionit të duhur, ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Edhe Uran Duraku, bashkëpronar i një biznesi që merret me prodhimin e akullit në këtë lagje, bënë të ditur se është detyruar të marrë kredi sërish në bankë, për të vazhduar punën disi.

Sipas tij, çfarëdo mbështetje nga ana e shtetit në këtë kohë, do të ishte shumë domethënës për biznesin e tij.

@ballkani.info

Qeveria e Albin Kurtit i harron familjet e prekura nga vërshimet në veri, nuk ndan asnjë cent për to #veri #kosova🇽🇰 #vershimet #shi #prishtina #uji #go #kosovatiktok #viral #fyp #lot

♬ original sound – Ballkani.info

Ndërkaq, Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, njëherësh kryesues i komisionit vlerësues nga dëmet e vërshimeve, tha se janë gjithsej gjashtë biznese të prekura nga vërshimet të cilat nuk janë kompensuar deri tani dhe se nuk e di arsyen për këtë.

Ai u shpreh se vlera e dëmit tek këto biznese është llogaritur të jetë deri në 100 mijë euro dhe se pret që kompensimi të realizohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe këto biznese të vazhdojnë punën me kapacitete të plota.

Në anën tjetër, KosovaPress-i nuk ka arrit tash e dy javë të marr përgjigje nga qeveria rreth kësaj çështje. /KP