Qeveria merr vendim për strehimin e refugjatëve afganë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se ka propozuar votimin e vendimit për nevojën e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të Kosovës, për qytetarët afganë që kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane.

Sveçla ka shkruar në Facebook se ky vendim është nisur për t’u ofruar ndihmë personave që gjenden në rrezik dhe u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan.

“Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezantuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për eksodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë. Ky vendim, i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit tonë si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar në Facebook.

Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se kjo përpjekje për të shpëtuar jetë është detyrim moral i vendit dhe parim njerëzor.