Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës [sot] ka emëruar Bordin e ri të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”. Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes njoftoi se të emëruarit janë: Petrit Nahi – kryesues, Rrezarta Pllana – anëtare, Sajmie Thaçi – anëtare dhe Lindita Toçi – anëtare.
Kurti ka thënë se nga 70 kandidatë, në listë të ngushtë kishin hyrë 29, ndërsa në listën përfundimtare 15 kandidatë. Mandati i tyre në këtë ndërmarrje është trevjeçar.
“Telekomi” ishte një nga ndërmarrjet publike që shënoi trend pozitiv gjatë vitit 2023, sipas një infografike të publikuar nga “CorrWatch”, konsorcium i organizatave të shoqërisë civile (GLPS, GAP dhe INDEP), më 11 korrik. “Telekomi” pati shtatë milionë euro fitim gjatë vitit të kaluar. Siç ka shkruar “CorrWatch” në një postim në Facebook, te kjo ndërmarrje vërehet ulje e ndjeshme e shpenzimeve veçmas te kategoria e pagave. “Telekomi” nuk pati marrë subvencione më 2023.
Qeveria gjithashtu në mbledhje miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Kryeministri Kurti ka thënë se ky projektligj bën rregullimin e dërgimit të FSK-së jashtë vendit për të marrë pjesë në operacione të paqes dhe ndërkombëtare.
“Ky projektligj bënë rregullimin e proceduat e dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe marrjen pjesë në operacionet e paqes dhe operacioneve ndërkombëtare dhe aktivitete tjera”, u shpreh Kurti.
E ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se ky projektligj është i rëndësishëm për shkak se sipas tij, FSK-ja është e gatshme që të kryejë operacione ndërkombëtare.
“Duke marrë për bazë aksionin aktual të FSK-së që është e gatshme që të merr pjesë në operacionet ndërkombëtare. Procesi i zhvillimit te FSK-së që është e gatshëm që të marrin pjesë në operacionet e ndërkombëtare dhe rritjen e interesimit është e nevojshme që të bëhet ndryshimi sipas ligjit të mbrojtjes. Plotësim ndryshimi që është bërë në këtë ligj ka të bëjë në disa ndryshim që kanë të bëjnë me nenin 10 të këtij projektligji”, ka thënë Maqedonci. /EO







