Marrëveshje

Qeveria e Kosovës miraton tri marrëveshje me Malin e Zi

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar tri marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi në fushën e drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve ka sqaruar se të tri marrëveshjet kanë të bëjnë me fuqizimin e marrëdhënieve me Malin e Zi.

Ndërsa, të njëjtat u prezantuan nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Po e paraqes para jush shkurtimisht marrëveshjen për ndihmë të ndërsjelltë mes Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi, qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i mëtejmë në fushën juridike”.

“Marrëveshja e dytë, ka të bëjë me çështjet e vendimeve gjyqësore dhe marrëveshja e tretë ka të bëjë me ekstradimin e cila rregullon procedurën që duhet ndjekur që nga momenti për parashtrim duke ngërthyer në vete standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut, pra respektimit të tyre”, tha Haxhiu.

Sipas saj, të tria këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme.

Po ashtu, ekzekutivi miratoi edhe nismën për lidhjen e një memorandumi të mirëkuptimit për njohje reciproke dhe konvertim të patentë shoferëve mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se me anë të kësaj marrëveshjeve synojnë të krijojnë procedura efektive.

“Qytetarët që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe do të kenë mundësi që patent-shoferin e Republikës së Kosovës ta zëvendësojnë me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anasjelltas”.

Të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar votuan unanimisht për miratimin e kësaj nisme.

Po ashtu, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, u miratua edhe pjesëmarrja e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian ‘drejtësia’.

Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes këtij projekti do të avancohet bashkëpunimi gjyqësor me BE.

“Paraqes para jush projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së ‘drejtësia’. Ky në fakt përmban hapin e fundit në aspektin e finalizimit të kornizës ligjore sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës, në njërin nga programet më të madhe e më të rëndësishme në fushën e drejtësisë në Bashkimin Evropian”.

“Ky projektligj është i rëndësishëm pasi që me pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program do të avancohet bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile, por edhe në ato penale. Pastaj, do të ofrojmë trajnime për gjyqtarët dhe praktikuesit e tjerë ligjorë”.

Ndërsa, u shpreh se ky program ka për synim forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, por edhe të drejtat themelore.

VIDEO BONUS: “Zemër ke dështu!” – Rinia e LDK së me aksion simbolik, ia uron Qeverisë Ditën e të Dashuruarve