Qeveria e Kosovës i kundërvihet Serbisë, hap dyqane të përkohshme në veri

Qeveria e Kosovës ka hapur pikat shitëse në veri të vendit, pas planit të serbëve për “katastrofë humanitare”, bën të ditur Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton Ballkani.info.

“Në bashkëpunim të ngusht me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit. Ky aksion, i kordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane”, ka shkruar kryeministri.

Kryeministri thotë se këtë Qeveria e ka bërë për t’i mbrojtur qyetetarët e saj.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim”. Ka shkruar kryeministri në Facebook.

“Sot, edhe njëherë u kemi dhënë përgjigjen institucionale, të gjitha veprimeve të orketstruara nga Serbia, përgjigje e cila vulosë sovranitetin e vendit, solidaritetin qytetar, përgjegjësinë dhe kujdesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Asnjë qytetarë i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm. Kosova ështe shtet që ne e ndajmë bashkë si shoqëri”, ka përfunduar Haradinaj. /Ballkani.info/