‘Qeveria e ardhshme me pakicat, por ka gjasa të ketë zgjedhje sërish’

​Hyrja e koalicioni Nisma-AKR në Kuvendin e Kosovës dhe humbja e tre deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të krijojë vështirësi në arritjen e numrave të nevojshme për formimin e qeverisë, vetëm nga këto dy parti. Analistët politik po deklarojnë se krijimi i qeverisë në situatën aktuale politike në vend mund të bëhet përmes bashkëqeverisjes me minoritetet apo koalicionin Nisma-AKR, por nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

VV në bazë të rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kishte 32 deputetë dhe LDK 29 deputetë, gjë që mundësonin krijimin e qeverisë. Mirëpo, dje Gjykata Supreme vendosi që në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit të mos përfshihen votat e ardhura nga Serbia, gjë që mundësoi hyrjen e koalicionit Nisma-AKR-PD, në Kuvend, me gjashtë deputetë.

Hyrja e këtij koalicioni i kushtoi më së shumti VV-së e LDK-së, të cilët tash e një kohë takohen për harmonizimin programit qeverisës.Njohësi i çështjeve zgjedhore, Albert Krasniqi, ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre deputetë më pak, LDK-ja një deputet më pak. Nga një deputet më pak do ta kenë edhe PDK-ja e koalicioni AAK-PSD.Me këtë numër të deputetëve, VV dhe LDK, e kanë të pamundur formimin e qeverisë vetëm nga këto dy subjekte politike.Analisti politik, Ramush Tahiri për KosovaPress, ka deklaruar se aktualisht Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk i kanë numrat për të formuar qeverinë, prandaj thotë është i nevojshëm bashkëpunimi me partitë e pakicave.

Tahiri thotë se analizuar situatën aktuale në vend gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje janë shumë të mëdha.

Analisti tjetër politik Dardan Velija thotë se shumë lehtë do të ishte formimi i qeverisë me minoritete, por që do t’u duhej Vetëvendosjes dhe LDK-së të heqin dorë nga parimi i tyre që e kishin gjatë fushatë për të formuar qeveri vetëm me shumicën shqiptare.

Velija nuk e përjashton mundësinë që hyrja e koalicionit Nisma-AKR në Kuvend, mund ta vështirësojë krijimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Ai ka këshilluar që nëse Vetëvendosje dhe LDK duan që ta luftojnë korrupsionin të mos marrin në qeverisje partnerët e qeverisjeve të kaluara.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E grupet punues të këtyre dy partive deri më tani kanë zhvilluar disa takime të përbashkëta përmes të cilave kanë deklaruar se kanë harmonizuar programin bashkëqeverisës në shumë aspekte, por që lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se diskutimet me Vetëvendosjen do i vazhdojnë pas certifikimit të rezultateve.Kushtetuta e Kosovës e përcakton se Qeveria Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më pas ka të drejtën e përzgjedhjes se me cilën apo me cilat parti politike dëshiron ta formojë qeverinë e re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

loading…