Numri i rasteve me koronavirus në Kosovë është rritur në përmasa shqetësuese.

Vetëm dje u konfirmuan 836 raste të reja, shifra më e lartë e infektimeve për këtë vit.

Ajo që është shqetësuese është edhe fakti që shumë persona të moshës së re po vdesin për shkak të pasojave të infektimit me Covid.

Kosova dje u trondit nga tri raste të vdekjeve, që të gjithë në moshë mjaft të re.

Referentja në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Sofe Braçaj u njoftua se ka ndërruar jetë, pas infektimit me Covid-19.

Për vdekjen e saj ka njoftuar edhe Gjykata përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Shqiptarët u tronditën kur në mbrëmje u dha lajmi për vdekjen e aktorit të mirënjohur Luran Ahmeti.

Ahmeti ishte vetëm 46 vjeç dhe ndonëse jetonte në Maqedoni të Veriut, a ishte shumë i dashur për publikun mbarëshqiptar.

Për ikjen e hershme të aktorit, ngushëllime kanë shprehur figura të ndryshme të politikës në Kosovë e Shqipëri.

Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit, sot u njoftua për vdekjen e profesorit të Universitetit të Prizrenit, Rifat Hoxha.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në facebook nga familjarët e tij, ku kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit në Prizren në orën 15:30.

Hoxha ishte i infektuar me Covid dhe gjatë kohës sa ishte me virus, është bërë edhe një njoftim për t’i dalë në ndihmë me plazmë të gjakut.