Putinit i duhet përshkallëzimi për të mbijetuar, nuk ka paqe të qëndrueshme nëse ai nuk përmbyset

Nga: Simon Tisdall / The Guardian
Vladimir Putini duhet të presë më shumë sulme të ukrainasve, thellë brenda territorit rus – sikur ato të javës së kaluar, në dy baza ushtarake ajrore. Përfundimisht, janë të destinuara për dështim përpjekjet e ShBA-së për të dekurajuar liderët e Kievit që mos ta bartin luftën në Rusi, si një hakmarrje për sulmet e pamëshirshme të raketave dhe dronëve të Putinit kundër njerëzve dhe qyteteve të tyre.

Ishte kërkesë e madhe. Sulmet nga dronët e porsandërtuar, të prodhuar në shtëpi dhe me rreze të gjatë veprimi – një nga të cilët i afrohet deri në 150 milje Moskës – janë të një rendi tjetër, për dallim sulmet e mëparshme në Krime dhe në zonat tjera të pushtuara nga Rusia. Ato e çojnë luftën në nivel më të gjerë dhe më të rrezikshëm, dhe paraqesin përshkallëzimin të cilit ia kanë frikën aleatët e NATO-s.

Ukrainasit e shohin këtë si vetëmbrojtje. Putini i sheh veprimet e tyre krejtësisht si provokuese dhe do të kundërpërgjigjet me secilën mënyrë që mundet. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, beson se lufta tokësore në Donbas do të pezullohet këtë dimër, për të pritur ofensivat të pranverës. Forcat ruse janë në disavantazh rreth Hersonit, në jug.

Pra, derisa vazhdon me sulmet e tij ajrore në frontin e brendshëm të Ukrainës dhe sidomos ndaj rrjetit energjetik, mund të presim se Putini do të përqendrojë në mënyra asimetrike, të dënueshme dhe jo ushtarake masat për të rritur koston për Kievin dhe për mbështetësit e tij. Këmbëngulja e ShBA-së se nuk ka inkurajuar ose mundësuar sulmet ndaj bazës ajrore, nuk kanë fare rëndësi për të.

Në fakt, tashmë kanë dështuar përpjekjet e NATO-s për të frenuar luftën brenda kufijve të Ukrainës. Putini përshkallëzon luftën globale, për t’ju kundërpërgjigjur sanksioneve të G7-shit dhe BE-së – që karakterizohet nga kundërshtimi i tij ndaj tavanit të çmimit të eksportit të naftës ruse të javës së kaluar. Teksa i ftohti i dimrit po kafshon, përdorimi i pamëshirshëm – si armë – i furnizimeve me gaz, po godet shtëpitë në të gjithë Evropën.

Në aspektin diplomatik, po intensifikohet beteja e tij për të përçarë kundërshtarët. Admiruesi i Putinit, Viktor Orbáni i Hungarisë, javën e kaluar bllokoi 18 miliardë euro të fondeve të BE-së për Ukrainën. Ambasadat evropiane të Ukrainës po sulmohen fizikisht. Kush e dha dritën jeshile?

Aplikuesit për anëtarësim në NATO, Finlanda dhe Suedia, raportojnë për rritjen e sulmeve kibernetike. Putini po luan me frikën e përhapjes së luftës. Polonia dhe Moldavia kanë përjetuar frikën e fundit me incidentet ndërkufitare. Trupat janë në lëvizje në Bjellorusi, në veri të Ukrainës. Dhe, presidenti i pamatur i Rusisë po ngre sërish spektrin e armëve bërthamore

Tingëllojnë si vetëkënaqësi sugjerimet se forcat e varfëruara të Rusisë, si rrjedhojë e kësaj, po bëjnë punën keq dhe se nuk janë të afta për përshkallëzim të mëtejshëm. Derisa Putini me vonesë kupton se nuk mund ta bombardojë Kievin për ta nënshtruar, po bëhet gjithnjë e më i varur nga “globalizimi” i luftës.

Kur Putini paralajmëroi se do të ishte një “proces i gjatë”, nuk fliste thjeshtë për “operacionin e tij special ushtarak”. Mënyra se si ai e përkufizon tashti konfliktin, është ajo e një konfrontimi historik, gjithëpërfshirës – midis Rusisë dhe shteteve autoritare që ndajnë të njëjtin mendim, kundër demokracive perëndimore.

Në takimin në Uashington, u duk se presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, arritën një pajtim të gjerë. Antony Blinken, sekretari i shtetit i ShBA-së, javën e kaluar kështu e përmblodhi këtë: bota (duke nënkuptuar kryesisht Rusinë, Kinën dhe ShBA-në me aleatët e saj) është “në një garë globale për të përcaktuar se çfarë vjen pastaj”, tha ai.

Nuk ka gjasa që Putini e ka planifikuar këtë në këtë mënyrë. Por, dështimi i tij në shkurt, për të nënshtruar shpejtë Ukrainën, gabimet e tij të mëvonshme të përsëritura taktike dhe nevoja e tij për të mbijetuar politikisht dhe personalisht, po e shtyjnë atë drejt përshkallëzimeve ideologjike dhe strategjike, si dhe ushtarake. NATO nuk e futi atë në qosh. Ai e futi veten në qosh.

Mënyra se si komentatorët e ashpër amerikanë e shohin atë se “çfarë vjen pastaj”, nëse e përdorim frazën e Blinkenit, është lufta kundër një boshti të zgjeruar të së keqes që përfshin anëtarët themelues: Iranin dhe Korenë e Veriut (të cilat po armatosin forcat ruse), Kinën dhe diktaturat si Siria, Nikaragua, Kuba, Venezuela dhe ndoshta shtetet tjera të Lindjes së Mesme.

Ajo që Putini duket se dëshiron është kthimi në një model oruellian të Luftës së Ftohtë të shekullit XX, në një botë të ndarë në blloqe antagoniste të pushtetit, të mbyllura në rivalitet, duke konkurruar për bashkëpunëtorë dhe asete dhe për të sunduar në mënyrë represive – të paktën nga njëra anë, nga urrejtja e rrënjosur e mbikëqyrje masive dhe frikës.

Çfarë kontrasti mes kësaj perspektive distopike dhe një paradigme alternative, të paraqitur javën e kaluar nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Si një politikan socialdemokrat i qendrës së majtë, Scholzi devijon nga figura që duhet të jetë konservatore. Ai ashiqare nuk e pëlqen ndryshimin. Preferon që gjërat të kthehen ashtu siç ishin.

Kjo, sugjeron ai, do të thotë rivendosje e marrëdhënieve bashkëpunuese të Evropës me Rusinë – nëse jo me sundimtarin e saj aktual – dhe kthim në idenë e pasvitit 1989 për një siguri përmes tregtisë dhe prosperitetit të përbashkët. Disa thonë se veprimet e Putinit, që nga viti 2008 – kur e pushtoi Gjeorgjinë – dëshmojnë se fjala është për një iluzion. Por, Scholzi ngjitet pas saj si një njeri që bie në ujë nga një dërrase druri.

Scholz thotë se Evropa duhet të punojë për të rivendosur “rendin e paqes” të paraluftës dhe për të zgjidhur “të gjitha çështjet e sigurisë së përbashkët” (kodi për koncesionet e NATO-s) – nëse Putini heq dorë nga agresioni i armatosur. Duke shkruar në revistën “Foreign Affairs”, ai tha se duhet shmangur Lufta e re e Ftohtë.

“Gjermania dhe Evropa mund të ndihmojnë në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar, të bazuar në rregulla, pa iu nënshtruar pikëpamjes fataliste se bota është e dënuar të ndahet sërish në blloqe konkurruese”, shkroi ai. Një botë shumëpolare e mbështetur nga Karta e OKB-së dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar, është ende i mundur dhe i dëshirueshëm!

Shumë evropianë dhe gati gjysma e amerikanëve (47 për qind), duan ta shohin paqen e negociuar. Megjithatë, shumëkush në “kampin e drejtësisë” e cilësojnë Scholzin si qetësues dhe thonë se shpresat e tilla janë naive. Ukrainasit refuzojnë çdo ujdi. Duan që Putini të gjykohet për krime lufte – të cilat me siguri se duhet të jenë pjesë e çdo rruge të bazuar në ligj, për zgjidhjen e konfliktit. Vetë Putini nuk po tregon interes për të folur.

Kjo, me pak fjalë, paraqet një problem të menjëhershëm, në dukje të pakapërcyeshëm që pengon të gjitha skemat dhe ëndrrat për zgjidhje të duhur të pasluftës. Derisa Putini mbetet në pushtet, duke i shitur fantazitë e një perandorie të ringjallur globale ruse dhe duke u ulur në tokën sovrane të Ukrainës, rruga përpara është e bllokuar.

Rënia e Putinit është parakusht për paqe të qëndrueshme./Telegrafi