Presidenti rus

Putin: Trump është dakord me mua

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se homologu Donald Trump i ka dhënë të drejtë sa i takon nevojës për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Në një takim me gazetarët, Putin ka hedhur poshtë insinuatat se Trump është një njeri që nuk dëgjon askënd.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se homologu amerikan Donald Trump është dakord me të dhe i prirë të përmirësojë marrëdhëniet SHBA-Rusi, pavarësisht përplasjeve politike të brendshme në Amerikë. Putin e ka bërë deklaratën e tij nga resorti në Soçi, kur është pyetur nga gazetarët nëse bie dakord me politikat e Trump, i cili sipas tyre nuk dëgjon njeri.

“Ndoshta ai sillet kështu me disa të tjerë, por nuk është faji i tij. Unë pata një dialog shumë normal dhe profesional me të dhe më dëgjoi. Ai është një njeri që reagon ndaj argumenteve të bashkëbiseduesit”, ka thënë Putin. Lideri rus është shprehur se qëndrimet e kundërta për një sërë çështjesh nuk janë diçka e jashtëzakonshme, por më se normale në bisedimet mes liderëve të huaj.

I pyetur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara që kërkojnë që Irani të tërheqë trupat nga Siria, shefi i Kremlinit ka nënvizuar se nuk i takon Rusisë të bindë Teheranin për të ndërmarrë një veprim të tillë. Por ka theksuar se shtetet që i kërkojnë Republikës Islamike të largohet duhet të ofrojnë garanci se nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme të Sirisë. Në lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit Jammal Khagoggi, Putin ka thënë se Rusia nuk ka informacion të mjaftueshëm mbi ngjarjen për të justifikuar prishjen e marrëdhënieve me Riadin.

“Zhdukja e gazetarit është një fatkeqësi, por Moska nuk ka mjaftueshëm informacion mbi ngjarjen, ndaj dhe do të presë detajet”, ka thënë Putin. Duke iu përgjigjur më tej interesit të mediave, presidenti rus ka bërë me dije se Shteti Islamik ka mbi 700 pengje në Siri, një pjesë e mirë e të cilëve janë amerikanë dhe nga vendet e Bashkimit Europian.