Pushimorja e Nashecit në Prizren e gatshme për karantinë

Pushimorja në fshatin Nashec të Prizrenit është e gatshme për të shërbyer si karantinë në rast se Qendra Studentore në Prishtinë nuk ka vend.

Këtë për klankosova.tv e kanë konfirmuar nga zyra e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Kjo pushimore momentalisht ka 60 shtretër dhe janë kryer të gjitha përgatitjet për shfrytëzim, njofton Klan Kosova.

“Në konsultim me shtabin emergjen në Prishtinë për rast nevoje për të prekurit me Covid-19 është paraparë pushimorja në fshatin Nashec që është nën menaxhimin e Komunës së Prizrenit. Këto ditë janë bërë përgatitjet e fundit si: lyerja e gjithë objektit, funksionalizimi i ujit dhe kanalizimit, si dhe dezinfektimi i objektit”.

“Momentalisht janë paraparë 60 shtretër, ndërsa personat që do të punojnë janë: punëtorët shëndetësorë, pastruesit që do e mirëmbajnë karantinën, sigurimi dhe një ekip policorë”, thuhet nga Zyra e kryetarit.