Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë para Qeverisë

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë, protestë të cilën e kanë filluar me fishkëllima dhe me pankarta në duar.

Përfaqësuesi i Lotarisë së Kosovës nga Mitrovica, Miran Ademi, tha se derisa të miratohet Ligji për lojërat e fatit, protestat e tilla do të vazhdojnë.

“Unë për 36 vite kam punuar në Lotarinë e Kosovës, do të thotë pa kurrfarë arsye na kanë largu. Plus Qeveria e ka dërgu bordin e vet prej pesë anëtarëve për mbikëqyrjen e punës së Lotarisë së Kosovës, asnjë vërejtje nuk kemi pas askund. Kur janë ndalu lojërat e fatit Lotaria e Kosovës nuk ka qenë në plan, për moment kemi pushu edhe na, ka thanë ndërprehet puna juaj, pa kurrfarë arsye”, ka thënë Ademi.

Më tej ai ka thënë se shumica e punëtorëve kanë kontrata të përhershme dhe ka 30 muaj që nuk marrin paga. Sipas Ademi-t dy herë janë dhënë pak të holla dhe pastaj asgjë.

“Shumica e lojtarëve që luajnë kanë fillu me lujt në pjesën veriore të Mitrovicës. I bindun jam prej 15 deri në 23 mijë euro luhen, do të thotë derdhen në Lotari të Serbisë, prej punëtorëve tanë ose të Kosovës, do të thotë qysh ta munden me funksionu në Mitrovicë ena nuk mundemi, kur dihet se Mitrovica është pjesë e Kosovës”, është shprehur ai.

Ademi gjithashtu shpjegon se kanë provuar disa mënyra të komunikimit por nuk kanë marrë përgjigjie dhe nëse vazhdon kjo gjendje do të ndërmarren masa të tjera.

“Qeveria të merr përsipër pagat, Mbajeni premtimin miratojeni ligjin, Qeveria pronare punëtorët në rrugë, Edhe fëmijët tanë e duan jetën, Mos na rrezikoni jetën e familjeve”, shkruhej në pankartat që mbanin në duar disa nga protestuesit.