Publikohen pamjet e vrasjes së Saimir Beqirit

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka siguruar pamjet ekskluzive të kamerave të sigurisë që kanë filmuar vrasjen e Saimir Beqirit mëngjesin e 11 Prillit 2016 në periferi të Elbasanit.

Vrasja është konsideruar si vazhdim i sagës së vrasjeve mes grupeve të Elbasanit. Saimir Beqiri është vëllai i Gentian Beqirit, ky i fundit i vrarë më 15 Gusht 2012.

Ora shënon 06:40 e mëngjesit (në kamerat e sigurisë ka mospërputhje kohore prej 60 minutash), kur Saimir Beqiri mbërrin përpara derës kryesore të një magazine, duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Volkswagen” ngjyrë e bardhë.

Por ai nuk e kishte vënë re se ndiqej nga vrasësi i tij. Një makinë “Mercedes-Benz” ngjyrë e zezë mbërrin pak sekonda pas Saimir Beqirit në të njëjtin vend. Brenda mjetit janë dy persona, vrasësi dhe shoferi.