PSG insiston për Donnarumman

Klubi francez po planifikon ta shesë fillimisht Neymarin dhe më pas me paratë e fituara të shpenzojë në blerjen e futbollistëve. Njëri prej tyre mund të jetë edhe portieri italian i Milanit.

Tashmë është e qartë se Gianluigi Donnarumma është një objektiv i vjetër i Paris Saint-Germainit.

Mbi të gjitha pas largimit të Gianluigi Buffon, klubi francez është në kërkim të një portieri të ri.

Dhe, gjiganti i Ligue 1 është duke vazhduar ta pëlqejë portierin e ri të Milanit.

Mirëpo, fillimisht klubi nga “Parku i Princave” po planifikon ta shesë Neymarin dhe me paratë që do t’i fitojë nga shitja e yllit brazilian, do të blejë më pas futbollistë të rinj.

E njëri prej tyre, sipas të së përditshmes franceze “L’Equipe” është përfaqësuesi i ri italian.

Edhe pse Milani e konsideron të pashitshëm, një ofertë prej 50 milionë eurosh mund ta ndryshonte skenarin dhe Donarumman mund ta shihnim në kryeqytetin francez.

Si alternativë të tij, PSG-ja e ka portierin e Real Madridit, Keylor Navas.

loading…