Pse u prishën Rama e Kurti? Tre njerëz të afërt me Vetëvendosjen, Rama i kishte bërë edhe zv/ministra

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët po aq sa ishte i afërt me presidentin Thaçi, aq i afërt ishte edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Nuk dihet pse i ka prishur raportet tani me Kurtin, por më herët koordinoheshin vazhdimisht me njeri-tjetrin.

Edhe kur Rama i kishte emëruar për herë të parë tre zëvendësministra kosovarë në Qeverinë e tij, q; ishte befasi për tërë rajonin, që të tre ishin të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje apo dikur kishin qenë edhe pjesë e saj, shkruan Ballkani.info.

Gent Cakaj ishte më herët pjesë e kësaj partie, Hajrullah Çeku edhe aktualisht është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, kurse Besa Shahini përveçse ishte e afërt me këtë parti, duke e mbrojtur nëpër studio televizive si pjesë e shoqërisë civile, më vonë u bë edhe bashkëshorte e ish-sekretarit Dardan Molliqaj, që aktualisht udhëheq me PSD-në.

Gjithashtu edhe grupi i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë aktivë dhe e këshillojnë tani Albin Kurtin, dikur ishin shumë të afërt me Edi Ramën dhe Erion Velijajn. Madje, kur Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi ishin deportuar para disa vitesh nga Kosova dhe u ishte ndaluar hyrja në Kosovë, Shqipëria ishte kundërpërgjigjur simbolikisht duke u dhënë nënshtetësinë shqiptare krerëve të Vetëvendosjes.

Ish-kryetari i Vetëvendosje, Visar Ymeri, ish-deputetët Albin Kurti, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, ish-sekretari organizativ, Dardan Molliqaj dhe anëtari i kryesisë, Liburn Aliu, kishin përfituar nënshtetësi shqiptare në atë kohë. Duket se prishja e tyre ka ndodhur pas rritjes së aktivitetit politik të Kurtit në Shqipëri, ku me pas e krijoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke u bërë pjesë aktive e jetës politike në Shqipëri. /Ballkani.info/