“Pse ke ardhur në studio”, Abdixhiku përplaset me analistin

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është përplasur me analistin Astrit Gashi, gjatë emisionit “Debat Plus”.

Abdixhiku teksa ishte duke folur për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, hodhi kritika ndaj Qeverisë Kurti.

Madje, ai pati edhe disa fjalë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, duke thënë se ai e ka një atdhe të dytë.

Sipas tij, kushdo që ka atdhe të dytë nuk ka problem që të largohet nga Kosova.

Megjithatë, Abdixhiku vijoi t’i listojë disa nga projektet e tij sa i përket përmirësimit të shëndetësisë kosovare.

Deputeti i LDK-së tha se duhet të rriten rrogat për punonjësit shëndetësor dhe të krijohet fondi i sigurimeve shëndetësore.

“Shëndetësia s’ka lidhje me luftën në Ukrainë. Është lënë anash për 20 vite, pajtohem. Po e presim ministrin e tretë të qeverisë. Këta po e shohin si eksperiment. E kanë një atdhe të dytë. Unë s’e kam. Kushdo që vjen largohet pas një viti. Unë s’kam ku të ik prej këtij vendi”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.

“Unë po flas për të ardhmen dhe për planin tim. Është kolapsi dhe mungesa e barnave se si s’kanë dorëza”.

E për këtë çështje reagoi analisti Astrit Gashi, i cili s’u pajtua me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Je tu fol gjatë. Po më pëlqen çka po fol e bëj këtë e bëj këtë. Krejt kanë thënë kështu. Të gjithë politikanët kanë folur kështu. Që 12 vjet e kam dëgjuar këtë dhe në fund përfundojmë kështu. S’jemi në fushatë zgjedhore. Kam problem me faktin se po i dëgjoj llafet e njëjta përsëri. Qysh don me i kry këto Lumir?”, tha Gashi.

“Nuk je duke diskutuar për këto ide. Je përgatitur për 20 vitet e fundit. Nëse s’ki çka me thonë, mos thuaj fare. Ti mund të thuash nuk më bind. Unë po flas për ide”, iu kundërpërgjigj Abdixhiku.

“Kam problem me faktin që s’po më bind”, shtoi Gashi.

“S’e kam atë detyrë me bind. S’është listë e dëshirave. Ma argumento. Ti po thua kanë thënë të gjithë. Atëherë pse ke ardhur në emision”, ia ktheu Abdixhiku.

Për këtë të fundit, Gashi i tha le ta pyet autorin e emisionit, Ermal Pandurin.

“I kam dëgjuar këto rrëfime. S’dua ta personalizoj debatin. S’e kam problem 20 vitet”, shtoi Gashi.