Kryeparlamentari Kadri Veseli nuk është pjesë e takimit të krerëve shtetërorë me delegacionin amerikan që po mbahet në Zyrën e Presidentit Hashim Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj të cilët janë në pozicione të kundërta rreth taksës ndaj mallrave serbe të cilat po e mbajnë të bllokuar dialogun me Serbinë, janë të vetmit që janë aktualisht në takim me njerëzit e Trump, të cilët si duket kanë ardhur për ta përcjellë edhe fizikisht qëndrimin për taksën.
Burime të Gazetës Express afër kreut të Kuvendit nuk kanë dhënë ndonjë arsye bindëse pse Veseli nuk ndodhet në takim, por vetëm kanë thënë se në agjendën e tij nuk ka pasur të paraparë takim të tillë.
Mbetet të shihet nëse delegacioni nga Shtëpia e Bardhë do ta bind shefin e Qeverisë së Kosovës që të heq dorë nga taksa e cila do ta zhbllokonte dialogun pasi pala serbe nuk dëshiron të shkojë në Bruksel pa ndodhur kjo.







