Shoferët në mbarë botën po përballen me çmime të larta të karburanteve në pikat e mbushjes, ndërsa kostoja është rritur edhe për ngrohjen e banesave, prodhimin e energjisë dhe prodhimin industrial.
Çmimet kanë qenë të larta edhe përpara se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Por, nga mesi i marsit, çmimet e karburanteve janë rritur edhe më, ndërkohë që çmimet e naftës së papërpunuar kanë parë vetëm rritje modeste.
Arsyeja kryesore duket se është mungesa e kapaciteteve adekuate të rafinimit, për të përpunuar naftën e papërpunuar në benzinë dhe naftë.
Sa është kapaciteti ditor i rafinerive botërore?
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kapacitetet janë të mjaftueshme për të prodhuar 100 milionë fuçi naftë në ditë, por rreth 20% e këtyre kapaciteteve nuk janë të përdorshme.
Pjesa më e madhe e këtij kapaciteti të papërdorshëm është në Amerikën Latine dhe në vende të tjera ku ka mungesë investimesh. Kjo bën që kapaciteti real i rafinerive të jetë rreth 82-83 milionë fuçi në ditë.
Sa rafineri janë mbyllur?
Industria e rafinimit llogarit se bota ka humbur gjithsej 3.3 milionë fuçi nga kapaciteti ditor i rafinimit që nga fillimi i vitit 2020. Rreth një e treta e këtyre humbjeve kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara, pastaj në Rusi, Kinë dhe Evropë.
Kërkesa për karburante ka rënë në fillim të pandemisë, kur njerëzit janë izoluar dhe kanë punuar kryesisht nga shtëpitë.
Para kësaj, kapaciteti i rafinimit nuk ka rënë në asnjë vit për së paku tri dekada.
A do të rritet kapaciteti i rafinimit?
Kapaciteti global i rafinimit pritet të rritet për 1 milion fuçi në ditë në vitin 2022 dhe për 1.6 milion fuçi më 2023.
Sa ka rënë rafinimi në krahasim me periudhën e para-pandemisë?
Në prill, 78 milionë fuçi janë përpunuar çdo ditë – ndjeshëm më pak se mesatarja e para-pandemisë prej 82.1 milionë fuçish në ditë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë pret që rafinimi të rimëkëmbet gjatë verës në 81.9 milionë fuçi në ditë.
Ku është zvogëluar kapaciteti i rafinimit dhe pse?
Të gjitha rafineritë në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Rusi dhe Evropë janë duke operuar me kapacitet më të ulët se përpara pandemisë.https://www.evropaelire.org/a/import-karburante-fosile-rusia/713865/1/31827163.html
Rafineritë amerikane kanë zvogëluar kapacitetin për gati një milion fuçi që nga viti 2019, për arsye të ndryshme.
Gati 30% e kapaciteteve të rafinimit të Rusisë kanë pushuar në maj, pasi shumë vende perëndimore janë duke refuzuar karburantet ruse.
Kina, ndërkaq, bën kursimet më të mëdha. Eksportet e produkteve të rafinuara lejohen vetëm sipas kuotave zyrtare, kryesisht për kompani të mëdha shtetërore të rafinimit dhe jo për kompani më të vogla të pavarura.
Çfarë tjetër kontribuon në çmimet e larta?
Kostoja e transportit të produkteve me anije është rritur, për shkak të kërkesës së lartë globale, si dhe sanksioneve ndaj anijeve ruse.
Në Evropë, rafineritë janë nën presion nga çmimet e larta të gazit natyror, i cili mundëson operacionet e tyre.
Disa rafineri varen gjithashtu nga benzina me vakum – si lëndë djegëse e ndërmjetme. Humbja e naftës ruse me vakum i ka penguar disa që t’i rinisin operacionet.







