Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion të premten para objektit të Qeverisë  së Kosovës, transmeton Reporteri.net.

Në këtë aksion, ka vënë një pankartë me mbishkrimin me të cilin e ka vlerësuar kryeministrin Albin Kurti si “veteran të rrejshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se “kryeministri Albin Kurti ka mashtruar për të fituar titullin e veteranit luftëtar”.

Sipas tij, Kurti s’ka qenë pjesë e luftës deri në fund siç e parasheh kushti për të marrë titullin e veteranit luftëtar.

“Veterani i parë kryesor i rrejshëm është Albin Kurti”, ka thënë Molliqaj.

Kryeministri Albin Kurti e ka rikthyer debatin e listës së veteranëve të UÇK-së, çështje për të cilën disa vjet më parë prokurori Elez Blakaj e kishte përgatitur një aktakuzë.

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thonë se rreth dy mijë persona, kryesisht ata që kanë falsifikuar dokumentet për ta fituar statusin e veteranit të luftës, janë larguar nga lista e pëfituesve të pensionit.