Protestë në Beograd “Mbrojtja e Kosovës” me maska dhe uniforma ushtarake

“Aksion patriotik në Beograd lidhur me përkeqësimin e situatës në Kosovë”. Së bashku me këtë koment, në platformën digjitale Telegram, grupi paraushtarak rus Vagner dërgoi një video të një proteste ku morën pjesë qindra protestues të krahut të djathtë në Beograd.

Siç u shpjegua në protestë, ajo u organizua mbrëmjen e 12 dhjetorit si shenjë “mbështetjeje për serbët” në Kosovë, të cilët ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në veri të Kosovës.

Kjo protestë u organizua pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet nga autoritetet kosovare se ka marrë pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Që nga atëherë, Pantiq mbahet në paraburgim.

Rusët dhe serbët janë përgjithmonë vëllezër”, thuhet në njoftimin e grupit Vagner, anëtarët e të cilit kanë luftuar në vijën e frontit në Ukrainë për Rusinë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Në fund të nëntorit, objektet e hapura së fundi nga kjo organizatë paraushtarake në Shën Petersburg janë vizituar nga Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.

Knezheviq ishte në mesin e të pranishmëve në protestën në Beograd.

Mbështetja e ekstremistëve rusë

Përveç Vagner-it, organizata e Knezheviqit është e lidhur edhe me lëvizjen RUSOV, një grup tjetër i ekstremit të djathtë nga Rusia, anëtarët e të cilit gjithashtu marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

Andrej Rodionov, themeluesi i kësaj organizate, emri i plotë i së cilës është Lëvizja Ndërkombëtare “Bashkimi dhe Rilindja Ruso-Sllave – RUSOV”, në kanalin e tij në Telegram ndër të tjera ka shkruar se “rusët do t’u vijnë në ndihmë vëllezërve të tyre serbë” në momentin kur “vërtet vjen koha që serbët ta rikthejnë tokën e tyre të shenjtë të Kosovës dhe Metohisë”.

Në të njëjtin postim, ai vlerësoi se situata aktuale në Kosovë “nuk do të eskalojë në konflikt të armatosur, por kjo vlen vetëm për tani”.Njoftimi i tij u transmetua nga “Patrulla Kombëtare” e Knezheviqit në kanalin e saj.

Në vitet e fundit, Rodionov e ka vizituar disa herë Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Siç shihet në rrjetet e tij sociale, në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me Damjan Knezheviqin, ai e shënoi në Beograd 100-vjetorin e eksodit të monarkistëve rusë nga Rusia pas Revolucionit të Tetorit.

Më parë, Knezheviq kishte qenë mysafir i Andrej Rodionovit në Moskë, në maj të vitit të kaluar.

Që nga fillimi i konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës në vitin 2014, lëvizja e udhëhequr nga Rodionovi i ka mbështetur veprimet e separatistëve pro-rusë dhe RUSOV-i publikon pothuajse çdo ditë në kanalin e vet në Telegram foto të ushtarëve që mbajnë emblemën e kësaj organizate.

Disa prej tyre kanë në mëngë edhe stemën e formacionit paraushtarak mercenar Vagner, për të cilin kanë luftuar edhe qytetarë të Serbisë.

Pas vizitës në qendrën Vagner në Shën Petersburg, Damjan Knezheviq tha për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i vizitës së tij ishte “të sigurojë mbështetje në rast të një konflikti në Kosovë”, raporton rel.