Tempulli "Sabarimala"

Protestë e veçantë e grave indiane, formojnë rresht të gjatë 620 kilometra

Gratë në shtetin jugor indian, Kerala, e kanë formuar një zingjir njerëzor prej 620 kilometrash në përkrahje të barazisë gjinore, duke kërkuar qasje në një tempull të besimit të tyre. Tempulli “Sabarimala” ka qenë historikisht i ndaluar për gratë e moshës 10 deri 50 vjeçare.

Gjykata e Lartë e Indisë kishte marrë vendim në shtatorin e vitit të kaluar që ua lejonte hyrjen në këtë tempull edhe grave, por që nga ajo kohë gratë po sulmohen nga protestuesit që e kundërshtojnë vendimin e gjykatës. “Muri i grave” si mënyrë e veçantë e protestës u organizua nga koalicioni i majtë qeveritar.

Zyrtarët kanë njoftuar se rreth pesë milionë gra kanë ardhur nga vende të ndryshme dhe janë vendosur nëpër autostradat kombëtare për ta formuar zingjirin e gjatë. Numri i pjesëmarrësve ishte më i madh sesa parashikimi i organizatorëve, të cilët kishin pritur pjesëmarrjen e tre milionë grave.

Shkak i mospajtimeve për këtë tempull është bërë vendimi i gjykatës, në njërën anë, dhe qëndrimi i partisë në pushtet, në anën tjetër. Sipas kësaj partie, vendimi i gjykatës për t’i lejuar gratë në këtë tempull është shkelje e parimeve të hinduizmit, shkruan “BBC”.