Prokuroria kërkon paraburgim për dorasit e hajnit

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka bërë kërkesë në gjykatë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy personave të pandehur, A.Ndrecaj dhe N.Ndrecaj., të cilët dje vranë hajnin Fehmi Gashi, në Shtime.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të merkurën, rreth orës 03:20, të të pandehurit me dashje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Fehmi Gashi, i cili paraprakisht, së bashku me një person tjetër, tash për tash i panjohur, kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të të pandehurve për të grabitur.

“Me t’i vënë re pronari, përleshet fizikisht me hajnat, ku edhe plagoset me armë zjarri nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë të largoheshin nga shtëpia, ndërsa, diku pas 300 metrave, të të pandehurit arrijnë që ta kapnin dhe përleshen me tashmë të ndjerin, ku gjatë përleshjes, e godasin me thikë në pjesë vitale të trupit, ku nga ato goditje Fehmi Gashi, mbetet i vdekur, me të cilën në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Ballkani.info

loading…