Prokuroria e Hagës kërkon që gjykimi ndaj Haradinajt e Gucatit të nis qysh në pranverë

Gjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj mund të nis shumë më shpejtë se sa që është parashikuar. Kjo pasi që Prokuroria e Specializuar po kërkon që kjo të bëhet qysh në muajt e parë të këtij viti.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar parashtresat e veta për konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit e cila do të mbahet nesër.

Në dokumente shihet se Prokurori i Specializuar ka nënvizuar faktin se do të sigurojë dëshmitë e plota dhe në bazë të rregullave të përcaktuara deri më 19 shkurt do të paraqesë provat.

“Disa nga informacionet e siguruara janë të përkohshme në këtë kohë. Sidoqoftë, ZPS parashikon që të jetë në gjendje të sigurojë dëshmi të plota dhe të ekspozojë listat deri më 19 shkurt”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë së Specializuar.

Me këtë rast, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që gjykimi ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit të nis në pranverën e këtij viti.

“Duke iu nënshtruar masave të zbatueshme mbrojtëse dhe faktit se procedurat paraprake janë afër kompletimit, ZPS nuk sheh asnjë arsye pse gjykimi të mos caktohet për këtë çështje të caktohet për në pranverë”, thuhet në parashtresat e Prokurorit të Specializuar.

Tutje, ZPS thotë se në ditët e ardhshme do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore,  mirëpo se të njëjtat do të kryhen  gjatë fazës  paragjyqësore.

Kësisoj, zyra e Prokurorit Special parashikon që në gjyq të paraqes prova të dokumentuara, përfshirë materiale audio/video, raporte, fotografi dhe botime me burim të hapur.

Në këtë kuadër, në total Prokuroria e Hagës ka parashikuar që në gjyq të prezantojë 838 faqe prova, 18 orë e 59 minuta e 30 sekonda materiale audio-vizuele dhe 52 transkripte.

Gjithsej janë 27 materiale audio/video dhe katër raporte. Ndërkaq, në bazë të tabelës së paraqitur, nuk është planifikuar paraqitja e ndonjë dëshmie nga ndonjë dëshmitar i mundshëm.

Tabela me provat që do të paraqiten:

Sidoqoftë ndaj afateve të propozuara nga Prokurori Special, pritet që të përgjigjet mbrojtja e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktakuza kundër Hysni Gucatit u konfirmua më 11 dhjetor, teksa u bë publike tri ditë më vonë.

Ndaj tyre është mbajtur seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzës, teksa për fajësinë është deklaruar vetëm Gucati.

Deklarimin rreth fajësisë ndërkaq pritet që nesër të bëj Nasim Haradinaj.