Hysen Durmishi

Pritet funksionalizimi i e-testimit për patentë shoferë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) të mërkurën ka anuluar dy vendime.

Tenderi në vlerë prej 44 milionë euro për mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale dhe vendimi që parashihte privatizimin e shërbimit të patentë shoferëve, janë dy këto vendime që janë anuluar nga qeveria Kurti.

Në fazën e shqyrtimit janë edhe vendimet e tjera, që siç thonë zyrtarë të pushtetit, janë nënshkruar edhe ditën kur është votuar qeveria e re.

Në një konferencë për media të enjten, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tregoi për anulimin e dy tenderëve të lartcekur, madje ai tha se edhe se janë duke shqyrtuar vendimet tjera që janë marrë së fundmi nga qeveria e kaluar. Madje ai tha edhe se së shpejti do ta funksionalizojnë e-testimin për patentë shoferët.

“Shumë prej tyre do të anulohen ditëve në vijim. Pra, ato vendime që nuk janë në përputhje me ligjin, apo vendimet që nuk kanë asnjë mbulesë financiare, e që ka shumë të tilla. Ka vendime që janë nënshkruar edhe ditën e fundit, pra ditën kur është votuar qeveria e re. Vetëm se në vendim nuk shkruan ora dhe nuk dihet saktë a është nënshkruar vendimi para apo pas votimit të qeverisë së re”, ka deklaruar Durmishi.

Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024, tender ky që ishte hapur nga ish-ministri Arban Abrashi më 12 shkurt të 2021-ës.

Durmishi para gazetarëve ka treguar arsyet e anulimit të këtij tenderi milionësh.

“E para ka të bëjë me anulimin e procedurës të prokurimit, pra anulimin e tenderit për projektin e mirëmbajtjes verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024. Vlera e parashikuar e këtij projekti është 44 milionë euro. Janë dy arsyeje që ne e kemi anuluar këtë procedurë në këtë fazë. E para ka të bëjë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë tri vjeçare dhe nuk mund ta ndryshojmë pasi që të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime në pozicionet para masës, e po ashtu edhe në kriteret teknike”, ka thënë ai.

Durmishi ka theksuar se zhvillim i teknologjisë të ndërtimit të rrugëve duhet të jetë prezent në rrugët e Kosovës, për këtë ai shtoi se janë të interesuar se për investime cilësore dhe rrugë të sigurta.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë me kritere teknike të cilat duhet të ndryshojnë në mënyrë që të ketë gjithpërfshirja dhe konkurrencë më të madhe mes kompanive. Kriteret duhet të jenë të tilla që të kenë më shumë kompani që të marrin punë, e jo siç ka ndodhur në të kaluarën ku paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga kompanitë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie, do të përfundojë përfundimisht”, ka shtuar ai.

E, vendimi i dytë është shfuqizimi i asaj që parashihte privatizimin e shërbimit të patentë shoferëve dhe objektet e qendrave për patentë shofer.

“Nëse nuk e kemi gjendjen e mirë në sektorin e patentë shoferëve duhet që ta sanojmë gjendjen dhe të përmirësojmë atë sektor. Ne i kemi bërë veprimet e menjëhershme duke i dhënë prioritet, dhe tani jemi në fazën e finalizimit të e-testimit për kandidatët për patentë shoferë. Brenda një periudhe të shkurtër kohore do ta funksionalizojmë e-testimin, pasi që softuerin e kemi dhe kompjuterët dhe pajisjet e tjera të nevojshme do t’i kemi ditëve në vijim”, ka theksuar Durmishi në një konferencë për media.

Me këto dy vendime, zëvendësministri Durmishi u zotua se nuk do të ketë më keqpërdorime dhe do të rritet siguria e qytetarëve në rrugë e komunikacion.

Ai është pyetur edhe se kush është sekretar i ministrisë, por që i njëjti nuk është përgjigjur duke thënë se tani janë në fazën e funksionimit të ministrisë.