Pritet dështimi i Samitit të Parisit si hakmarrje amerikane

Diplomatë, gazetarë dhe njohës të gjeopolitikës këto ditë kanë reaguar pas publikimit të inicimit të aktakuzës kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Ata kanë thënë se Bashkimi Evropian ia ka vënë ndërskëmbëzën samitit Kosovë-Serbi të udhëhequr nga SHBA-ja.

Dy ekspertët e njohur të institutit “American Enterprise”, Dalibor Rohac dhe Ivana Stradner, përmes një opinioni të përbashkët të publikuar në National Review kanë thënë se reagimi kundër samitit të Shtëpisë së Bardhë nga Evropa ishte tërësisht i acartë.

BE-ja, sipas tyre, ka punuar në mënyrë sistematike për ta parandaluar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë nga administrata Trump.

Lajmi për prishjen e këtij samiti duket se më së shumti i ka gëzuar pikërisht evropianët, që tashmë janë duke u munduar t’i japin rëndësi tejet të madhe Samitit të Parisit, i paralajmëruar më 17 korrik.

“Bashkimi Evropian ka para vetes një mundësi të papritur për t’u kthyer në rolin udhëheqës të bisedimeve”, ka thënë Wolfgang Petritsch, ish i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në periudhën e viteve 1998-99.

Por, si duket edhe mbajtja e këtij samiti do të jetë vështirë e realizueshme, pasi që SHBA-ja ka pak gjasa që t’ia falë evropianëve dështimin që ia bënë Samitit të Uashingtonit.

Nga burime diplomatike mësohet se tashmë ka lëvizje drejt një plani për dështimin e Samitit të Parisit dhe për të pamundësuar që dialogu Kosova–Serbi të kalojë në duart e evropianëve.

Edhe insistimi i të dërguarit special të presidentit Trump, Richard Grenell, që të ketë sa më shpejtë takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, si duket çon në këtë drejtim.

Konfrontimet ndërmjet Amerikës dhe BE-së janë përshkallëzuar kohën e fundit, të cilat e kanë luftuar njëra-tjetrën shumë hapur në arenën ndërkombëtare.

Duke ditur se Kosova ka besim të palëkundur tek SHBA-ja, atëherë pritet që në rrethanat aktuale, Kosova të mos marrë pjesë në takimin e Parisit të planifikuar për muajin tjetër.