Prishtina me plot objekte banore, pak prej tyre kanë pranimin teknik

Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e objekteve banesore në kryeqytet janë ndërtuar me leje, Komuna e Prishtinës ka ngecur me pranimin teknik të tyre, gjë që më së shumti ka “dëmtuar” qytetarët. E ndër problemet kryesore del të jetë ai i prezantimit të projekteve në fazë ideore.

Derisa kryeqyteti është vërshuar nga objekte të larta, shumë prej tyre kanë mungesë të gjërave elementare, siç janë shkallët emergjente në rast zjarri, pamja vetëm në një anë e të ngjashme, komuna më në fund ka premtuar se do të merret me çështjen e legalizimit.

Arkitekti Astrit Nixha thotë se Prishtina nuk e ka më sharmin që e ka pasur dikur, për shkak të ndërtimeve të shumta dhe pa leje.Ai ka shpalosur shqetësimet e tij lidhur me parregullsitë e ndërtimit në Prishtinë, duke thënë se në planin afatgjatë një gjë e tillë do të ketë pasoja të mëdha.

E sikur të mos mjaftonte kjo, ai thotë se nuk ka as norma të projektimit derisa objektet vazhdojnë të ndërtohen.Derisa në anën tjetër janë qytetarët që kanë blerë banesa edhe pse nuk është bërë pranimi teknik i tyre, Nixha thotë se kjo paraqet një dozë rreziku për ta.

Në rast të mos legalizimit të objekteve, sipas tij, qytetarët e kanë marrë vetë rrezikun përsipër në momentin kur kanë blerë banesën.Nixha ka treguar se cilët janë hapat që duhen ndjekur për të zgjidhur këtë problem njëherë e mirë.

Edhe kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Prishtinës, Faton Hoxha, thotë se shumë pak objekteve të reja banesore iu është bërë pranimi teknik.

Ai tregon edhe disa nga problemet me të cilat ballafaqohen ndërtuesit kosovarë.Ditëve të fundit, edhe komuna ka ngritur çështjen e legalizimit ku ka premtuar se do të ketë zgjidhje të kësaj problematike.

Drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur se në fillim të marsit, Komisioni për Inspektim Final që është në kuadër të Drejtorisë së Inspekcionit, ka dalë në teren për lëndët që i kanë mbetur, për të krahasuar gjendjen në teren të objekteve ekzistuese me dokumentacionin që kanë dërguar palët.

Për ato objekte pa leje të cilat kanë mbetur pa u përfunduar për shkak të ndalimit të punimeve, Tahiri është shprehur se edhe këto të fundit do të rregullohen përmes ligjit të ndërtimit dhe atij të legalizimit