Prioritet karriera apo familja?

Kohët e fundit janë bërë shumë debate rreth temës se cila duhet të ketë prioritet, karriera apo puna. Mendoj që kjo pyetje zakonisht shtrohet tek gratë pas lindjes së fëmijut të parë, sepse fillojmë ta pyesin veten “Si do t’ia dalim me beben?”. Është e vërtetë që pas lindjes së bebes gjithçka ndryshon sa i përket ritmit të jetës, nisur nga orët pa gjumë gjatë natës e më pas një orar shumë i çakorduar saqë nuk mund të planifikosh më asgjë për veten tënde. Krejt çka thua në ato ditët e para është pse dita i ka vetëm 24 orë.

Çka është më e rëndësishmja në atë periudhë? Nga eksperienca ime mendoj se është organizimi i mirë, fillimisht duke e mbledhur veten dhe duke u munduar ta bëjmë një planifikim të mirë. Kur them planifikim të ndajmë pak orë për veten sepse në atë periudhë sikur e harrojmë atë duke u marr vetëm me beben. Padyshim që i vogli kërkon përkujdes të veçantë saqë personalisht kisha raste që edhe kur bebja ishte në gjumë unë vazhdoja ta vëzhgoja se a po merr frymë mirë, e që tash më vjen me qesh. Pra, të ndajmë pak minuta për veten tonë, qoftë edhe nëse i shfrytëzojmë vetëm për meditim, sepse kështu do të mund të jemi më të relaksuar. E kur jemi më të relaksuar edhe mendimet i kemi më të organizuara e po ashtu më pozitive.

Personalisht pas lindjes së djalit të parë krejt çka më ka ardhur në mendje ishte se unë nuk do të jem në gjendje të vazhdoj punën sepse aq shumë kisha angazhim saqë nuk mund të ndaja as pesë minuta për vetën time e lere më të punoj. Për mua kishte filluar një jetë tjetër, nuk e njihja veten, nga një ritëm ku isha mësuar ta kisha obligim vetëm veten time, tanimë isha përgjegjëse për një engjëll të vogël 24 orë në ditë pa pushim.

Hapat e parë që më kanë ndihmuar tej mase ishin shëtitjet në park derisa Olti i vogël bënte gjumin. Në atë kohë mund të flisja me veten time, të bëja planet, të takoja shoqe të cilat tanimë vetëm kishin bebe dhe i ishin rikthyer punës. Përveç kësaj rol të rëndësishëm në atë periudhë ka luajt edhe bashkëshorti im i cili mi ka lehtësuar angazhimet rreth bebes dhe shtëpisë, i kemi nda po thuajse në mënyrë të barabartë të gjitha përgjegjësitë.

Gradualisht sa më shumë Olti rritej aq më pak mbeteshin ditët e pushimit te lehonisë. Afrohej dita kur duhet t ’ia filloja punës e që nuk isha aspak e gatshme, çdo herë duke menduar se a do t ’ia dal edhe me punën edhe me beben. Shumë shpesh e mendoja që ose do të dështoj në punë ose Olti do ta ketë mungesën time e do të mbetet shumë keq pa prezencën time.

Me shtytjen e bashkëshortit i cili ma përsëriste çdo herë që punën duhet vazhduar sepse mua më ke krah, kështu edhe u bë, fillova punën por me dyshime. Vërtetë ishin shumë sfiduese ditët e para në punë, saqë më dukej që gjysma e shpirtit më ka mbetur në shtëpi. Aspak të lehta ato ditë kur je pa gjumë dhe të duhet koncentrim maksimal, aspak e lehtë kur kthehesha nga puna e nuk dija nga t ’ia filloja.

Me kalimin e kohës me një planifikim të mirë me një përkushtim të shtuar me ndihmesën e familjes e veçanërisht bashkëshortit ja dola me të dyja duke mos i lënë keq asnjërën as tjetrën.

Përfundimisht, unë i’a dola, dhe dua të besoj se edhe ju mund t ’ia dilni. Biles i’a dola ashtu siç edhe nuk kam besuar. Faktor matës të kësaj janë sukseset e dy fëmijëve të mi Oltit dhe Noahs dhe krahas kësaj sukseset e mija në punë që tanimë kamë një pozitë me përgjegjësi në punë dhe jam e vlerësuar. Krejt kjo falë një planifikimi të mirë dhe përkrahjes së bashkëshortit.

Autorja është blogere e rregullt e portalit Ballkani.info. Pikëpamjet e autores do të publikohet çdo javë