Presidentja Osmani takohet me Avokatin e Popullit, kjo ishte tema e diskutimit

Presidentja eKosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj.

Temë kryesore e takimit ishte ndërmarrja e hapave të mëtejmë në adresimin e problemeve me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e saj në promovimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Presidentja Osmani dhe Avokati i Popullit Qelaj diskutuan edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si hap të rëndësishëm në garantimin e plotë të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

Tutje, Presidentja Osmani ka uruar Institucionin e Avokatit të Popullit për anëtarësimin në Rrjetin Evropian të Ombudspersonëve për Fëmijët, duke e vlerësuar si mekanizëm të rëndësishëm për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.