Presidentja e Greqisë ia dhuron gjysmën e pagës, fondit për COVID-19

Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou të hënën bëri të ditur se ajo do të dhurojë gjysmën e pagës së saj në një fond të veçantë shtetëror, për t’iu përgjigjur pandemisë së koronavirusit.

Vendimi i Sakellaropoulou erdhi menjëherë pasi Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u bëri thirrje deputetëve të partisë së tij konservatore Demokracia e Re, si dhe ministrave dhe zëvendësministrave, që të kalojnë gjysmën e pagave të tyre në këtë fond për dy muajt e ardhshëm.

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Sakellaropoulou thuhej se Presidentja  kishte vendosur të dhurojë gjysmën e pagës së saj për dy muajt e ardhshëm “për shkak të rrethanave të vështira financiare në të cilat vendi e gjen veten për shkak të pandemisë koronavirus”.

Më herët, të hënën, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u bëri thirrje deputetëve të partisë së tij në pushtet Demokracia e Re, si dhe ministrave dhe zv / ministrave që të dhurojnë gjysmën e pagës së tyre për dy muajt e ardhshëm në një fond të veçantë për të forcuar reagimin e shtetit për pandeminë koronavirus.