Presidenti i Polonisë krahason bombardimin e Mariupolit me krimet naziste

Presidenti i Polonisë i krahasoi sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës me forcat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se Mariupoli i rrethuar duket si Varshava në vitin 1944, pasi gjermanët bombarduan shtëpi dhe vranë civilë “pa mëshirë fare”.

Presidenti Andrzej Duda, i cili do të pres Presidentin Joe Biden këtë javë, shkruan Associated Press, transmeton Demokracia.com.

Ai foli për situatën në Ukrainë, teksa bëri të ditur se njerëzit ishin të traumatizuar dhe ishin dëshmitarë të tmerreve të shkaktuara në Ukrainë nga forcat ruse. Ai shtoi se refugjatët mbërritën në Poloni dhe vende të tjera fqinje.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët njoftoi të martën një moment historik tronditës, ku tha se më shumë se 3.5 milionë refugjatë janë larguar tani nga vendi.
Midis tyre ishte Viktoria Totsen, një 39-vjeçare nga Mariupoli, e cila hyri në Poloni si pjesë e një eksodi që është bërë kriza më e keqe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ajo përshkroi se si bombardimet nga avionët rusë ishin bërë të pandërprera, duke e shtyrë atë të ikte me dy vajzat e saj.

“Gjatë pesë ditëve të fundit aeroplanët fluturonin mbi ne çdo pesë sekonda dhe hodhën bomba kudo,” tha ajo.

Gjatë një vizite në Bullgari, Duda krahasoi bombardimet ruse të shkollave, spitaleve dhe objektivave të tjera civile, me mizoritë e kryera nga forcat gjermane gjatë pushtimit të Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.