Presidenca me dokument e konfirmon se se pari nxori vendimin për zgjedhje pastaj dekretin për shpërbërje të Kuvendit

Pas artikullit e më pas analizës të publikuar nga “Reporteri” lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, Zyra e Presidencës ka publikuar dekretin për shpalljen e zgjedhjeve.

Aty konfirmohet se nxjerrja e dekretit është bërë pas vendimit për shpallje të zgjedhjeve.

Në reagimin e Zyrës së Presidencës, ata përsërisin se dekreti mban numrin 03/2021 ndërsa vendimi 02/2021.

“Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve, të cilat nxirren nga u.d. Presidentja. Si të tilla, të dyja kanë numra të ndryshëm të regjistrimit dhe evidentimit të tyre që përkojnë me llojin e aktit juridik. Para nxjerrjes së Dekretit për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë, në vitin 2021 janë nxjerrë dy dekrete të tjera, që mbajnë numrat paraprak të protokollit për Dekrete. Kurse para marrjes së Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve është nxjerrë një vendim tjetër paraprak me numër rendor para vendimit në fjalë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

‘Reporteri’, prej ditësh ka kërkuar në Zyrën e Ushtrues së Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe në atë të Kuvendit të Kosovës, dekretin për shpërbërjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Por, i njëjti dokument që do të duhej të ishte publik, dhe sipas ligjit i botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, nuk i është ofruar gazetës.