Pranohet kërkesa e Kosovës për ngritje të statusit në Frankofoni

Kanë filluar punimet e Konferencës së Frankofonisë në Jerevan të Armenisë. Në kuadër të këtyre punimeve, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, me anëtarët e delegacionit, kanë takuar këtë paradite kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Chagnon, dhe Sekretarin e Përgjithshëm e Asamblesë Parlamentare, Jaques Krabal.

Gjatë këtij takimi u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit me vendet frankofone, ndërsa kryediplomati kosovar, Pacolli, ka shprehur falënderim për mbështetjen për marrjen e statusit të anëtarit të asocuar të organizatës së Frankofonisë.

Tutje, ministri është shprehur optimist se Kosova do të marrë statusin e anëtarit të asocuar në Organizatën e Frankofonisë, në Samitin e Presidentëve.
“Kosova është e interesuar që të zhvillojë marrëdhënie të mira bashkëpunimi me vendet anëtare të Organizatës së Frankofonisë”, ka thënë Pacolli.

Nga ana e tij, Chagnon ofroi mbështetjen e plotë të organizatës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në vazhdim, numri dy i Qeverisë së Kosovës i ka falënderuar bashkëbiseduesit për përkrahjen në UNGA në lidhje me aspiratën e vendit tonë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkohë që ka ofruar mbështetjen e vendit tonë për nismat e organizatës Frankofone në nivel të nismave rajonale dhe në përgjithësi.

Gjatë ditës Ministri, Pacolli, pritet të takojë delegacione të vendeve jo njohëse, për të diskutuar për kërkesën për njohje si dhe për vendosjen e bashkëpunimit.