PPE-ja fillon procedurën e përjashtimit e Orbanit dhe partisë së tij

Sot u kërkua zyrtarisht përjashtimi ose pezullimi i kryeministrit populist hungarez, Viktor Orban dhe partisë së tij Fidesz, nga 12 parti anëtare të Partisë Popullore Evropiane (PPE), një vendim që mund të merret më 20 mars, njoftoi presidenti i PPE-së, Joseph Daul.

“12 parti anëtare të PPE-së, nga nëntë vende kanë kërkuar përjashtimin ose pezullimin e Fidesz. Kjo do të jetë çështja që do të debatohet gjatë Asamblesë politike të 20 marsit. Vendimi i përket të gjithë anëtarëve të PPE-së dhe nuk mund të parashikoj se cili do të jetë përfundimi i bisedimeve”, shpjegon Joseph Daul, shkruan ATSH.

“Gjatë mbledhjes së 20 marsit, ne do të diskutojmë për situatën e Fidesz. Madje ne do i japim gjithashtu Fidesz mundësinë që të shprehet”, theksoi ai. “Vetëm asambleja politike mund të përjashtojë ose pezullojë, një parti anëtare. Ne nuk mund të parashikojmë vendimin e asamblesë politike”, vazhdoi Daul. Kryeministri hungarez Viktor Orban i hodhi benzinë zjarrit para 10 ditësh duke zhvilluar një fushatë të ashpër kundër presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, anëtarë ashtu si ai i PPE-së, duke akuzuar Brukselin se po mbështet imigracionin, një çështje shumë delikate në Hungari.