Politikat e shteteve patriarkale

Nga: Angela Saini, The Financial Times

Në përpjekjen e dëshpëruar për ta rritur rekrutimin përballë humbjeve shkatërrimtare – që nga pushtimi i Ukrainës – ushtria ruse ka nisur një fushatë duke u kërkuar burrave që të heqin dorë nga punët e veta civile dhe t’i bashkohen ushtrisë. “Bëhu burrë”, thotë slogani. Vitin e fundit, qeveria ruse ka ofruar gjithashtu medaljen “Nëna Heroinë” për gratë që kanë më shumë se 10 fëmijë, për të ndihmuar kështu në rritjen e nivelit të lindjeve – dhe për të rritur më shumë ushtarë të ardhshëm.

Duhet vetëm t’ju drejtohemi familjarëve dhe miqve për të mësuar se disa burra nuk janë të lindur për betejë dhe se disa gra preferojnë të mos kenë fëmijë. Por, kjo shtrirje e stereotipave gjinorë – “të jesh burrë” ose të jesh “nënë heroinë” – pasqyron interesat bazike të të gjitha shteteve patriarkale, nga Rusia deri në ShBA. Nuk ka rëndësi se për çfarë është i përshtatshëm një individ; rëndësia e vetme është që ta përmbush detyrën ndaj shoqërisë.

Për ta kuptuar pse, duhet ta shohim parahistorinë. Farat për këtë formë gjinore të kontrollit shtetëror, u mbollën të paktën 5000 vjet më parë me ngritjen e shteteve më të hershme të botës. Preokupimi i atyre që ishin në pushtet në atë kohë, ishte popullsia – si ta ruanin madhësinë e saj dhe si ta mbanin nën kontroll.

Midis provave të shkruara që kemi, për shembull nga Mesopotamia e lashtë, janë listat në dukje të pafundme që përfshijnë dosjet e para të regjistrimit, duke detajuar me kujdes se si njerëzit menaxhohen.

Historia tregon se, gjatë mijëvjeçarëve, u rrit presioni mbi familjet për të demonstruar besnikërinë ndaj shtetit, duke pasur më shumë fëmijë dhe duke qenë të gatshëm që të heqin dorë nga ata fëmijë për ta mbrojtur shtetin. Gratë e reja u nxitën të rrinë në shtëpi dhe të lindnin sa më shumë djem.

Xhingis Hani, sundimtari legjendar i Perandorisë patriarkale Mongole të shekullit XIII, solli shërbimin e detyrueshëm ushtarak për djemtë dhe për burrat. Fëmijët deri në 15 vjeç mund të rekrutoheshin dhe të largoheshin nga shtëpitë e veta, për t’u trajnuar, përcjell Telegrafi.

Në kohët e mëparshme, gratë duhet të ishin të afta për ta mbrojtur shoqërinë e vet, po aq sa edhe burrat. Legjenda thotë se vetë stërmbesa e Hanit, Hutulun, e shoqëroi babanë në misione ushtarake dhe këmbënguli që çdo burrë që donte të martohej me të, fillimisht do të duhej ta mundte në mundje.

Por, më vonë, teksa u krijuan kombet moderne, luftimet dhe punët luftarake u lidhën më shumë me burrat. Feminiteti u bë sinonim i mëmësisë. Këta stereotipa tashmë janë aq të thellë saqë vetëm në vitin 2015 gratë u lejuan të shërbenin në pozicionet – e linjës së parë – të betejave tokësore të ushtrisë amerikane.

Nivelet e popullsisë mbeten burim shqetësimi për qeveritë kombëtare. Në shkurt të këtij viti, liderët në Kinë u inkurajuan të kërkojnë mënyra inovative për t’i shtuar normat e lindjeve, pasi popullsia e vendit ra – për herë të parë në 60 vjet. Përgjigja e një zyrtari vendor ishte ofrimi i arsimit të mesëm falas për fëmijën e tretë të çdo familjeje.

Në Hungari, plani i fundit i qeverisë – për të rritur normat e lindjeve – përfshinte eliminimin e tatimit mbi të ardhurat për nënat nën moshën 30 vjeçe. Japonia sapo ka shtuar shumën e përgjithshme që ua ofron familjeve, për t’i ndihmuar për shpenzimet e foshnjave.

Nevoja për të mbajtur nivelet e larta të lindjeve, mund të shpjegojë gjithashtu se pse aborti është futboll politik në vendet si ShBA-ja dhe Polonia. Vendi i parë që legalizoi zyrtarisht abortin ishte Rusia Sovjetike, në vitin 1920, për t’i mbrojtur gratë që po vdisnin nga abortet e kryera nga nëntoka. Kjo u paraqit si pjesë e angazhimit të regjimit për t’i çliruar gratë. Në vitin 1936, ai dekret u rrëzua nga Josif Stalini për një arsye të thjeshtë: niveli i lindjeve ra shumë poshtë.

Popullsia është çelësi për të kuptuar se si sillen kombet dhe pse institucionet e pushtetit janë ndërtuar rreth preokupimeve të dyfishta të riprodhimit dhe të mbrojtjes.

Problemi për shtetin e sotëm patriarkal është se qytetarët nuk janë gjithnjë e më të gatshëm për t’i përmbushur kërkesat. Presidenti Vladimir Putin është ndër mbrojtësit më të ashpër të familjes tradicionale patriarkale dhe të roleve gjinore të modës së vjetër. Por, edhe ai nuk mund t’i parandalojë radhët e të rinjve që përpiqen të shmangin rekrutimin, duke ikur nga vendi. Rusia po përballet me krizë të popullsisë.

Por, këto nuk janë vetëm problemet e Rusisë. Në të gjithë botën kombet duhet të përballen me emergjencat e veta demografike dhe me betejat për të drejtat riprodhuese. Sfida e shekullit XXI – një epokë ku po përmbysen normat e vjetra gjinore dhe të drejtat universale të njeriut janë të sanksionuara – është se si popullsia dhe siguria kombëtare në të njëjtën kohë mund të ruhen duke ua siguruar qytetarëve se janë të lirë të mos luftojnë apo të mos kenë fëmijë.