Samiti jozyrtar i komunitetit politik evropian në Granadë të Spanjës, ka përfunduar të enjten me dështim pasi udhëheqësit e gati 50 vendeve dhe zyrtarët e lartë të BE-së nuk arritën të bënin ndonjë përparim të rëndësishëm drejt zgjidhjes së konflikteve në pragun e Evropës dhe përpjekjet për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin të kota, shkruan portali i Brukselit Politico.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani refuzoi të takohet me homologun e saj serb Aleksandar Vuçiq nëse nuk vendosen sanksione ndaj Beogradit për shkak të sulmit të një grupi të armatosur terroristësh serb ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë më 24 shtator.
“Ndjenja e kotësisë” së samitit joformal arriti kulmin kur Spanja si mikpritëse anuloi në minutën e fundit konferencën e planifikuar për media, të cilën e prisnin rreth 700 gazetarë, shkruan portali i Brukselit.
Spanja, e cila mban presidencën e Bashkimit Evropian, nuk shpjegoi pse u anulua konferenca për media, në të cilën ishte dashur t’i dorëzonte zyrtarisht Britanisë së Madhe udhëheqjen e komunitetit politik evropian.
Mungesa e entuziazmit të liderëve për samitin ishte evidente që në mëngjes, kur shumë pjesëmarrës nuk ishin gati t’u drejtoheshin gazetarëve të shumtë që i prisnin, sipas Politico.
Kryeministri italian Giorgia Meloni kaloi pranë gazetarëve duke folur në telefonin e saj dhe as kancelari gjerman Olaf Scholz dhe as kryeministri britanik Rishi Sunak nuk iu drejtuan mediave.
Samiti i tretë i Komunitetit Politik Evropian, një platformë e krijuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, u shënua nga këshilltarët si një mundësi për ndërmjetësim midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për de-përshkallëzimin e tensioneve në Ballkan dhe për diskutim strategjik mbi sigurinë evropiane.







