Policia hap rast për hakimin e “Facebook”-ut të Driton Selmanajt

Policia e Kosovës  ka njoftuar se ka hapur rast për hakimin e faqes së rrjetit social “Facebook” të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Rasti nga policia është iniciuar si “Ndërhyrje në sistemin kompjuterik”.

“NDËRHYRJE NË SISTEMIN KOMPJUTERIK. Prishtinë, 21.03.2022-09:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga data 14.03.2022 i është pamundësuar qasja në faqen e rrjetit social Facebook dhe në të janë postuar fotografi. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti duke u hetuar nga njësitë relevante”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në ndërkohë, Selmanaj konfirmoi se i është marrë qasja në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

“Ju njoftoj që ka disa ditë që adresa ime zyrtare në facebook është cak i sulmeve kibernetike nga persona të papërgjegjshëm. Si rezultat i kësaj nga e hëna e kaluar mua më është pamundësuar qasja në adresen time zyrtare, dhe me shumë gjasë kontrollin e kësaj faqe tashmë e ka dikush tjetër. Përkundër përpjekjeve të mia ende nuk kam arrit ta rikthej nën kontrollin tim. Sot do i nisi procedurat policore”, ka konfirmuar ai.