Policia e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar operacionin policor pas hetimeve dhe informatava të marra rreth fëmijëve që kërkojnë lëmoshë.
Policia në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, ka pasur për qëllim që përmes këtij operacioni të ndërmarrë veprime proactive dhe largimin e personave/fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rrugët, thuhet në njoftim, përcjell Ballkani.info.
Si rezultat i këtij operacioni në terren, janë identifikuar 23 persona duke kërkuar lëmoshë, ku 9 prej tyre kanë qenë fëmijë.
Policia e Kosovës në fund të njoftimit ka bërë apel tek qytetarët që mos t’u ofrojnë lëmoshë këtyre fëmijëve, pasi që në këtë mënyrë ata stimulohen për të bërë një gjë të tillë. /Ballkani.info
Njoftimi i plotë:
Bazuar në informatat dhe situatën aktuale me fëmijët që kërkojnë lëmoshë apo edhe kryejnë punë të tjera jo të përshtatshme për moshën e tyre, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, Prishtinë, me datën 15 prill 2019 ka realizuar një operacion policor, ku për qëllim ka pasur marrjen e veprimeve proaktive dhe largimin e personave/fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rrugët, verifikimin e situatës së tyre nëse të njëjtit janë viktima të ndonjë forme të trafikimit si dhe ofrimit të mbrojtjes dhe asistencës për ata fëmijë.
Nga veprimet operative në terren janë identifikuar gjithsej 23 persona duke kërkuar lëmoshë, prej tyre 9 kanë qenë fëmijë ndërsa 14 kanë qenë të rritur.
Pas hetimeve dhe verifikimit të situatës të personave të identifikuar nga DHTQNJ dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë inicuar 4 raste për veprën penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ dhe është ngritur kallëzim penal ndaj 5 të dyshuarve, prindër të këtyre fëmijëve.
Të gjithë fëmijët e identifikuar janë trajtuar sipas procedurave standarde dhe janë referuar në QPS-së për trajtim të mëtutjeshëm.
Apelojmë tek të gjithë qytetarët që mos t’u japin lëmoshë këtyre fëmijëve që janë në rrugë, sepse me atë veprim vetëm të njëjtit stimulohen për të kërkuar lëmoshë dhe kjo i dëmton ata fëmijë. Humaniteti qytetar mund të shprehet në shumë forma tjera.







