Protestuesit kanë kërkuar përgjigje pasi policia e Alabamas ka pranuar se e ka vrarë gabimisht një person, duke menduar se ai është sulmues i dy personave në një qendër tregtare. 21-vjeçari Emantic Bradford ishte qëlluar për vdekje nga policia në një qendër tregtare në Hoover. Autoritetet thanë se ndoshta ai nuk ishte sulmuesi i vërtetë dhe se sulmuesi mund të jetë në arrati.

Lidhur me këtë rast u organizua një protestë, në të cilën morën pjesë rreth 200 persona. “Ku janë pamjet e kamerave? Pse nuk i kemi parë ato ende?”, tha njëri nga protestuesit. Raportohet se polici që e ka vrarë të riun tash është suspenduar përkohësisht. Sipas të dhënave të FBI-së, një përqindje më e madhe e të qëlluarve nga policia janë njerëz me ngjyrë.

Të shtënat kishin ndodhur në mbëmjen e së enjtes, ndërsa policia kishte arritur pasi dy të rinj ishin qëlluar me armë zjarri nga një sulmues. Nuk janë dhënë informacione për gjendjen shëndetësore të tyre, ndonëse thuhet se të dy u dërguan në spital. Autoritetet në fillim kanë deklaruar se i vrari ishte sulmuesi, por tash e kanë ndryshuar deklaratën.

Hetimet e policisë janë duke vazhduar, përderisa ata besojnë se të paktën një sulmues ndodhet në arrati. Protestuesit u mblodhën para qendrës tregtare ku ka ndodhur sulmi dhe mbajtën një minutë heshtje në nderim të të vrarit nga policia, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.