Policia aksion në rajonin e Gjilanit, cak lojërat e fatit

Një aksion policor është duke u zhvilluar nga orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Gjilanit.

Në tre lokacione ku janë kryer bastisjet janë gjetur prova materiale që dëshmojnë se të dyshuarit janë marrë me lojëra të fatit.

Këtë për Reporteri.net e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Gjilanit.

“Po, policia ka realizuar një aksion sot në rajonin e Gjilanit, është vazhdimësi e rastit ‘Karaçeva’”, tha për Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë në Gjilan, Liridona Xhaldini.

Gazeta ka pyetur edhe në Policinë e Kosovës për aksionin në fjalë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Kujtojmë se pak javë më parë u arrestuan edhe tre zyrtarë policor në rastin e Karaçevës.

Numri i të arrestuarve në ketë rast ka shkuar më shumë se 65, përfshirë këtu bosët e kazinove, zyrtarë policor, qytetarë të cilët dyshohen se përmes rrugëve ilegale kishin kontrabanduar kafshë të shumta.

Në shtatorin e vitit të kaluar ishin rrënuar 12 objekte në fshatin Karaçevë.