Pogba tregon arsyet pse iu bashkua Juventusit

Paul Pogba u rikthyer te Juventusit gjatë afatit kalimtar veror pas gjashtë viteve të kaluara te Manchester United.

Mesfushori francez iu bashkua Zonjës së Vjetër si transferim i lirë për herë të dytë nga Djajtë e Kuq.

Pogba kishte kaluar fillimisht katër vite te Zonja e Vjetër nga viti 2012 deri më 2016 dhe vendosi të rikthehej në Allianz Stadium.

Në një intervistë për GQ Italia Pogba tregoi se dëgjoi zemrën e tij për tu rikthyer në Itali.

“Më pëlqen të mendoj dhe të them që ishte zemra ime ajo që zgjodhi, ishte momenti i duhur për tu kthyer këtu”, deklaroi Pogba.

Tutje mesfushori francez tha se erdhi te Zonja e Vjetër për ta rikthyer te trofetë pasi Juventus ka dy vite që nuk del kampion në Serie A.

“Tre sezonet e fundit, të kushtëzuara edhe nga dëmtimet, nuk shkuan ashtu siç doja dhe kjo nuk është një fshehtësi”.

“Mendova që ky ishte momenti i duhur për tu bashkuar me Juventusin dhe të rimarrim vendin që na takon dhe të kthehemi të fitojmë”.

“Herën e parë që erdha në Torino isha më i ri. Tani jam rritur si brenda edhe jashtë fushës. Kur isha te Juventusi kisha lojtarë ekspertë pranë meje, tani shoh veten dhe mendoj që jam bërë si këta lojtarë, Pirlo, Buffon apo Chiellini. Tani më takon mua të bëj atë që kanë bërë ata”, ka deklaruar Pogba. /Telegrafi/