Podujeva

Podujeva ende pa spitalin e premtuar ndër vite

Është përfolur e premtuar për vite me radhë, por qytetarët e Podujevës assesi nuk e kanë fatin të bëhen me një spital të ri.

Madje, për shërbime të ndryshme mjekësore ata ia mësyjnë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

E për këtë gjendje, nuk mungojnë edhe ankesat nga ana e tyre, duke përfshirë këtu edhe mungesën e barnave esenciale.

Nga ana tjetër, Shaip Aliu, doktor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë komunë ka treguar për shërbimet mjekësore që ofrojnë, ndërsa ka përmendur edhe projektet për të ardhmen.

Kurse, e para e Shëndetësisë në këtë komunë Adelina Stublla, në një përgjigje për tëvë1, ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha e duhura për ndërtimin e spitalit të qytetit, por se këtë çështje e ka në dorë Ministria e Shëndetësisë.

“E gjithë kjo varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK sa do ti qasen seriozisht implementimit të funksionalizimit të spitalit të Podujevës. Nga ana jonë si DSHMS dhe si qeverisje komunale kemi ofruar në dispozicion të gjitha kapacitetet të cilat janë në domenin tonë. Ekziston zotimi dhe vullneti i ministrit që të fillon shërbimi i Specialistikës si kujdes dytësor për të vazhduar me zgjerimin deri në funksionalizim të plotë të Spitalit të qytetit”, tha Stublla.

Televizioni, ka adresuar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje, ani pse punimet për spitalin e Podujevës, prej kohësh janë ndalur.

Nga ana tjetër, kritikat për mos-procedimin tutje me këtë projekt nuk po i kursen opozita në këtë komunë.

Megjithatë spitali i Podujevës vazhdon të mbetet një prej premtimeve që përsëritet ndër vite nëpër fushata zgjedhore, e kësaj liste iu shtua edhe Qeveria Kurti.