Në shënim të 24 vjetorit të formimit të njësitit të UÇK-së, Togu i parë, Kompania e parë, Batalioni i tretë, Brigada 112 – Arben Haliti, Zona Operative e Drenicës, në fshatin Pemishte të Skenderajt, ku ishte e vendosur Pika e UÇK-së “Qarri”, do të bëhet inaugurimi i pllakës së objektit të UÇK-së.

Fshati Pemishte i ishte përgjigjur kushtrimit të luftës për liri dhe këtë të shtunë kujton edhe dëshmorët e fshatit, profesorin Ajet Beqiri, komandantin Mustafë Qorri dhe dëshmorët Shukri Qorri e Isuf Sadikaj së bashku me 19 martirët e vrarë nga paramilitarët serbë.

Në kuadër të shënimit të këtij përvjetori, më 26 mars, në orën 11:00, në shkollën “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe” në Pemishte, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë organizuar edhe orë të madhe letrare me nxënës të shkollave fillore të Runikut, Leçinës, Çubrelit, Rakoshit, Shushicës, Uçës, Turiqevcit dhe Kllodernicës. Tri vendet e para do të shpërblehen.