Deputeti

Petroviq: Urdhri për të më arrestuar mua ka qenë urdhër politik, për të më frikësuar

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviq ka thënë se ndalimi i tij në Merdare për më shumë se katër orë nga Shërbimi Informativ i Serbisë, (BIA) ishte politik, dhe se pas kësaj ndalje qëndron dikush i cili është munduar ta frikësoj.

“Ata njerëz të cilët më kanë parashtruar pyetje kanë qenë korrekt, por urdhri për të më arrestuar mua ka qenë urdhër politik, për të më frikuar”, ka thënë Petroviç në një intervistë për televizionin publik.

Petroviq ka thënë se për ndaljen e tij në Merdare ju ka shkruar institucioneve serbe por nuk i kanë kthyer përgjigje, dhe sipas tij për arrestimin e tij kanë shkruar vetëm dy portale.

“Ne në deklaratën që e kemi dhënë, ju kemi drejtuar një letër publike ministrisë së Serbisë, dhe kemi kërkuar pse jemi ndalur, dhe ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje pse jemi ndalur nga BIA. Në Serbi kanë reaguar vetëm dy portale dhe kjo është shqetësuese”, ka thënë Petroviq.

Deputeti Petroviç gjatë kishte sqaruar se është ndaluar në Merdare për katër orë të tëra duke u marrë në pyetje nga policia serbe dhe më pas edhe nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA).

Ai kishte thënë se u ndalua nga policia serbe kur ishte duke shkuar tek familjarët e tij në Beograd me motrën e tij. Tha se nuk u lirua deri sa u intervistua nga anëtarët e BIA-s të cilit sipas tij e pyeten rreth deklaratave të tij dhënë medieve.

“Unë jam i shokuar, nuk e di pse më mbajtën për katër orë, a ishte arrestim apo ndonjë gjë tjetër. Kjo është hera e parë që më ka ndodhur”, deklaroi ai.