Kërcënon hapur vartësi i Vuçiqit: Do të shqyrtojë kthimin e 1000 forcave serbe të sigurisë në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, pas vendimi të Policisë së Kosovës për ta rritur praninë në veri.

Pas një propagande mediale që dukej e orkestruar në mediat e afërta të Vuçiq, Petkoviq ka dalë dhe ka përsëritur po të njëjtat raportime të mediave.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka për qëllim që ta rrënojë Marrëveshjen e Brukselit me veprime si ky sonte.

“Siç kemi paralajmëruar, Kurti ka vazhduar me aksione ilegale dhe të dhunshme që synojnë okupimin e veriut të Kosovës. Pas konfiskimit të verës duke sulmuar familjen Petroviq dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve në Leposaviq, rreth 300 deri në 500 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë Petkoviq në këtë konferencë.

Petkoviq ka thënë se policët kosovarë kanë bllokuar të gjithë veriun e Kosovës, ndonëse nuk është raportuar për ndonjë incident deri tani dhe qytetarët kanë qenë të lirë të filmojnë dhe të përcjellin lëvizjet e policëve.

Sipas Petkoviq, policët kosovarë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.

“Po e përsëris, veçanërisht për ata në Perëndim, që policia shqiptare nga jugu ka pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë ai në këtë konferencë.

Ai shtoi se sipas Rezolutës 1244, Beogradi do të shqyrtojë kthimin e deri në 1000 forcave serbe të sigurisë në Kosovë.

“Vuçiq ka përsëritur shumë herë se ne nuk do të lejojmë sulm të ri të popullit tonë. Shpresoj që ata që duhet të arsyetojnë me Kurtin ta kuptojnë këtë mesazh, sepse ne nuk do të lejojmë që populli ynë të vuajë. Le të kenë kujdes ata në perëndim, kështu që se nuk janë të befasuar me vendimet tona, sepse nuk jemi ne që provokojmë dhe shkelim marrëveshjet, të gjitha këto i bën Kurti, dikush e lejon”, ka shtuar Petkoviq.