Aksidente

Pesë të vdekur në aksidente trafiku të shtunën

Pesë persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e tri aksidenteve të ndryshime që kanë ndodhur gjatë ditës së shtunë në Kosovë.

Aksidentet kanë ndodhur në fshatin Shajkovc të Podujevë, në Ozdrim të  Pejës dhe në Graçanicë, raporton Ballkani.info.

Dy të vdekur nga një vetëaksident në Shajkovc të Podujevës, një tjetër i lënduar rëndë

Dy persona kanë vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur sonte rreth orës 20:30 në rrugën Shajkovc, saktësisht në fshatin Sfeqël të Komunës së Podujevës, raporton Ballkani.info

Lajmin për Ballkani.Info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës , ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur”, ka thënë Ahmeti të shtunën.

Ajo ka treguar se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

“Me hetimin e zbardhjen e shkaqeve të këtij vetëaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i Trafikut”, ka thënë tuje Ahmeti.

Një i vdekur dhe një i lënduar rëndë në aksidentin në rrugën Llapnasellë – Graçanicë

Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur  rreth orës 16:30 në rrugën Llapnasellë-Graçanicë, raporton Ballkani.info.

Lajmin për Ballkani.Info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën se në rrugën Llapnasellë-Graqanicë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime  trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka deklaruar ajo të shtunën.

Ajo ka treguar se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Me rastin po merret hetuesia nga Njësiti i Trafikut”, ka thënë tuje Ahmeti.

Natë e kobshme në Kosovë, edhe dy të vdekur në Ozdrim të Pejës

Dy persona kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Ai ka treguar në detaje për aksidentin që ka ndodhur rreth orës 21:30. “Dy këmbësor kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti në fshatin Ozdrim të Pejës. Kurse personi i tretë është lënduar rëndë dhe është dërguar për trajtimin në Spitalin e Pejës”, ka thënë Rugova.

Ai ka shtuar se vdekjen e ka konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes. /Ballkani.info/