Përplasje mes ministrit të FSK-së dhe deputetes së PDK-së për shërbimin ushtarak, Quni tregon a do të jetësohet ideja e Kurtit

Albin Kurti para deputetëve dhe qytetarëve para se të votohej kryeministër në paraqitjen e programit të tij qeverisës kishte thënë se do të bëjnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm prej tre muajsh.

Kurti kishte thënë se shërbimi ushtarak i obligueshëm që do të jetë me kohëzgjatje tremujore në përputhje dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s.

Për këtë çështje sot është pyetur në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e quajti ministrin Quni si ministër me fat, pasi tha se i mbijetoi dy qeverive, e pyeti atë a ekziston ende ideja për shërbim ushtarak të rregullt apo të detyrueshëm e prezantuar nga ish-kryeministri Albin Kurti, pasi nuk ka parë buxhet për këtë çështje as në rishikimin e buxhetit, shkruan Reporteri.net.

Ministri Quni ka thënë se është një pajtueshmëri e qeverisë së kaluar dhe z.Kurtit dhe harmonizim mes programeve LDK-VV dhe tani i njëjti harmonizim është mes LDK-AAK-NISMA që në një të ardhme të aplikohet shërbimi ushtarak.

“Ka pasur biseda për këtë fushë, shpjegime edhe me autoritetet e qendrat vendimarrëse ndërkombëtare dhe kjo çështje ka shqetësuar një institucion të veçantë, pas shpjegimeve që kemi dhënë me gjeneral Rrhaman Ramën dhe e njohin këtë problematikë, ne kemi marrë një mbështetje”, tha Quni

Ministri më tej tha se nuk është një çështje e vulosur paraprakisht, por që do trajtim shkencor, ekspertizë të lartë dhe se duhet bashkëpunim ndërinstitucional dhe pas analizave autoritetet më të larta shtetërore legjislative dhe ekzekutive të marrin vendime.
“Si FSK kemi rolin kyç por për shkak të pandemisë kjo çështje ende nuk është prioritet u trajtimit tonë, presim një situatë më të volitshme që së bashku këtë ide ta shndërrojmë me koncept dhe dokumente tjera që duhet të votohen përmes parlamentit”, tha Quni, shkruan Reporteri.net.

Pasi ministri Quni nuk dha një afat kohor se kur mund të fillon shërbimi ushtarak, deputetja Musliu i tha ministrit të FSK-së se çka nënkupton me afat të afërt pasi po del që ka qenë një ide populliste nga ish-qeveria Kurti.

“Kjo ide është mbështet nga të gjithë qytetarët, thatë afat sa më të afërt, çka nënkuptoni? Nuk është ide populiste, por që i shërben qytetarëve. Do të marrim ekspertizë nga shtetet që aplikojnë këtë lloj shërbimi dhe do përcjellën trendët dhe zhvillimet. Po flasim për gjeneratën që sot janë në moshën 12-13 vjeçare pra pas disa vitesh”, tha Quni, shkruan Reporteri.net.

Deputetja Musliu reagoi sërish duke i thënë ministrit Quni se shërbimi ushtarak i prezantuar nga ish-qeveria ka qenë i paraparë të kryhet brenda mandatit 4 vjeçar dhe siaps saj tash po del që nuk do të kryhet brenda 4 viteve të ardhshme.