Përfundon tërheqja amerikane nga Afganistani

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.

Grupi militant Shteti Islamik tha se merr përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave.

Nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan, pasi banorët lokalë raportuan për rënien e disa copave në rrugë.

Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan, që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.

Mbi 120,000 njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që kur talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.

Në bazë të një marrëveshjeje mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të arritur në fillim të vitit 2020, për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, pas 20 vjetësh të operacioneve atje, talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga grupet terroriste.

Gjenerali McKenzie tha se ende ka rreth 2,000 luftëtarë të IS -it në Afganistan.

Afati përfundimtar për tërheqjen e plotë të forcave të huaja ishte nesër 31 gusht.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka qenë nën presion për të shtyrë afatin e evakuimit mirëpo ai kishte kundërshtuar duke thënë se ekziston rreziku nëse forcat amerikane vazhdojnë të qëndrojnë në terren.

SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.

Më herët Biden ka thënë se ushtria amerikane ka “arritur” qëllimet e saj në këtë vend për të mposhtur Al-Kaidën dhe për të parandaluar më shumë sulme mbi Shtetet e Bashkuara. Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë përmes së cilës u bëhet thirrje talibanëve të sigurojnë dalje të sigurt për njerëzit që përpiqen të largohen nga Afganistani