Përfundon protesta në Maqedoninë e Veriut, kërkohet dorëheqja e Bujar Osmanit

Sot ishte dita e tretë e protestës e organizuar nga opozita në Maqedoninë e Veriut, si përgjigje kundër propozimit francez. Protesta filloi para qeverisë, për të vazhduar më pas në drejtim të Ministrisë së punëve të jashtme.

Aty edhe filloi të nxehet situata, pasi që protestuesit filluan që të gjuajnë sende të forta në drejtim të objektit të ministrisë. Njëkohësisht ata kërkonin dhe dorëheqjen e Bujar Osmanit.

Nga aty, protestuesit vazhduan në drejtim të parlamentit, aty ku situata u tensionua. Turma filloi të gjuaj gjëra të forta në drejtim të objektit të Parlamentit, duke thyer disa xhama. Gjendja u përkeqësua atëherë kur turma e rrëzoi barrikadën metalike dhe filloi të konfrontohet me policinë.

Nga kjo përleshje, mbetën të lënduar disa policë, ndërsa u arrestuan disa protestues.

Më vonë policia e mori situatën nën kontrollë duke larguar protestuesit nga oborri i Parlamentit në drejtim të parkut përballë. Kujtojmë që kjo protestë ishte vazhdimësi e protestave të parapara nga opozita maqedonase, si përgjigje ndaj propozimit francez./Alsat.mk