Lista Serbe

Përfaqësuesit e Listës Serbe takohen shefin e EULEX-it, i kërkojnë “mbrojtjen e serbëve”

Një delegacion i Listës Serbe i kryesuar nga kryetari i kësaj partie, Zlatan Ellek, janë takuar në Mitrovicën e Veriut me shefin e EULEX-it, gjeneralmajor Giovanni Pietro Barbano, me të cilin kanë diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Sipas një njoftimit për media të Listës Serbe, kjo parti ka kërkuar nga Barbano një prezencë më të madhe të EULEX-it në terren, si dhe forcimin e masave të sigurisë dhe “mbrojtjen e serbëve në terren”.

“Delegacioni i Listës Serbe ka kërkuar prezencë më të madhe të EULEX-it në terren me kërkesë të veçantë që EULEX-i të angazhohet në çështjen e sigurisë së popullit serb si dhe të bashkatdhetarëve tanë të arrestuar padrejtësisht të cilët ndodhen në paraburgim”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, Lista Serbe ka njoftuar se interesi i tyre dhe i gjithë popullit serb është ruajtja e paqes.

Ndryshe, më 24 tetor, Drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë, Zllatan Ellek, ishte zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe.

Lista Serbe e cila vendimet politike i merr gjithmonë në koordinim me Qeverinë e Serbisë, bëhet me kryetar të ri pak ditë pasi ish-kryetari Rakiq tha se do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore.

Për organizimin e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, qeveria përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që drejtohet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim për nismën e shkarkimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore, përmes një peticioni.

Ky vendim vjen pas marrëveshjes së arritur në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, për shtensionimin e situatës në Veri, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Mirëpo, ky proces ka mbetur në hije pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku një grup terroristësh më në krye kriminelin Milan Radojiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës.