Për shkak të Kosovës, Spanja s’pranon simbole shtetërore në Samitin e Sllovenisë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të mërkurën do të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, në Slloveni, e ku do të marrë pjesë edhe Kosova. Megjithatë, siç shkruan mediumi katalonjas “El Nacional”, Spanjës i është garantuar që pasi nuk e njeh Kosovën si shtet, s’do të ketë simbole që e identifikojnë si të tillë.

Në Samitin e sivjetmë do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vitin e shkuar ai u mbajt me videokonferencë për shkak të pandemisë. Herën e fundit që pati mbledhje fizike ishte viti 2018, ku Spanja refuzoi të merrte pjesë për shkak të Kosovës.

Siç shkruan ky medium, edhe vitin e shkuar nuk ka pasur simbole që e identifikojnë Kosovën si shtet dhe se kjo s’do të ndodhë as sivjet, me kërkesë të Spanjës.

Nuk pritet që të ketë asnjë flamur apo simbol të asnjë shteti që zakonisht janë pjesë e tavolinës.

Pos Spanjës, janë edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian që s’e njohin Kosovën: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia. Liderët e BE-së mblidhen në Bërdo me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.

Edhe pse Spanja s’e njeh Kosovën, ajo mbron dialogun Kosovë – Serbi deri në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese. Ky shtet ka shprehur përkrahjen për zgjerim të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor “por duke i përmbushur të gjitha kriteret”.